threat_intelligence528 wordsRead on Arc Codex

AKSK/ Për herë të parë siguria kibernetike bëhet pjesë e kurrikulës shkollore

Me nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027, siguria kibernetike do të përfshihet për herë të parë në programet mësimore të arsimit parauniversitar për nxënësit e klasave I, VI dhe X. Tre module kurrikulare kombëtare të miratuara janë përgatitur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Ministrinë e Arsimit. AKSK ka kontribuar me ekspertizë profesionale në hartimin e moduleve, me synimin që edukimi për sigurinë online të mos mbetet vetëm pjesë e fushatave ndërgjegjësuese apo aktiviteteve të veçuara, por të bëhet një proces i qëndrueshëm brenda sistemit arsimor. Pse nevojitet edukimi për sigurinë online? Fëmijët janë ndër përdoruesit më aktivë të teknologjisë dhe internetit. Krahas mundësive për të mësuar, komunikuar dhe zhvilluar aftësi të reja, ata mund të përballen me bullizëm kibernetik, mashtrime online, kontakte të rrezikshme, përmbajtje të papërshtatshme, vjedhje të të dhënave dhe keqpërdorim të identitetit. Për këtë arsye, mbrojtja e fëmijëve në internet duhet të nisë përpara se të ndodhë një problem. Nxënësit kanë nevojë për njohuri dhe shprehi praktike që i ndihmojnë të përdorin teknologjinë në mënyrë të sigurt, të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme. Një program që përshtatet me moshën e nxënësve Përmbajtja është ndërtuar si një rrugëtim progresiv. Në klasën I, nxënësit njihen me pajisjet digjitale, mësojnë të dallojnë situatat e sigurta nga ato të pasigurta, të mbrojnë të dhënat personale dhe të kërkojnë ndihmën e një të rrituri kur diçka i shqetëson. Përmes lojërave me role, situatave të simuluara, vizatimeve dhe veprimtarive mbi kohën para ekranit, ata ndërtojnë rregullat e para të sjelljes së sigurt dhe etike online. Në klasën VI, temat lidhen më drejtpërdrejt me mënyrën se si fëmijët e kësaj moshe përdorin rrjetet sociale, aplikacionet e komunikimit dhe lojërat online. Nxënësit trajtojnë identitetin dhe gjurmën digjitale, bullizmin kibernetik, privatësinë dhe mashtrimet online. Ata analizojnë shembuj phishing-u në email, SMS, telefonata dhe faqe të rreme, ushtrohen të verifikojnë burimin para se të klikojnë dhe mësojnë të përdorin fjalëkalime të forta, bllokimin, ruajtjen e provave dhe raportimin. Në klasën X, siguria kibernetike lidhet më gjerësisht me qytetarinë digjitale. Krahas mbrojtjes së llogarive, pajisjeve dhe të dhënave, nxënësit analizojnë reputacionin online, kërcënimet kibernetike, etikën dhe të drejtat në mjedisin digjital. Ata zhvillojnë aftësi për të verifikuar burimet, për të dalluar dezinformimin dhe përmbajtjet e manipuluara, për të kuptuar ndikimin e algoritmeve dhe për të reaguar ndaj incidenteve kibernetike. Kurrikulat zyrtare - Siguria online Klasa I: https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2026/06/Siguria-online.pdf - Siguria kibernetike Klasa VI: https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2026/06/Siguria-kibernetike.pdf - Siguria kibernetike dhe qytetaria digjitale Klasa X: https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2026/06/Siguria-kibernetike-dhe-qytetaria-digjitale.pdf Një qasje që do të zgjerohet gradualisht Zbatimi në klasat I, VI dhe X është faza e parë e një procesi më të gjerë. Në vitet në vijim, synimi është që modulet të shtrihen gradualisht edhe në klasat e tjera duke ndërtuar një vazhdimësi të edukimit për sigurinë kibernetike në cikle të ndryshme të shkollimit. Roli i prindërve dhe i mësuesve Siguria e fëmijëve online është përgjegjësi e përbashkët. Shkolla, familja dhe institucionet duhet të nxisin komunikimin e hapur, në mënyrë që fëmija të ndihet i sigurt të tregojë kur has një situatë shqetësuese online. Qëllimi nuk është largimi i fëmijëve nga teknologjia, por përdorimi i saj në mënyrë të sigurt.

How it works

Once you click Generate, Ollama reads this article and crafts 5 comprehension questions. Your answers are graded against the article content — general knowledge won't be enough. Score 70+ to count toward your certificate.

Questions are cached — you'll always get the same 5 for this article.