tech_surveillance335 wordsRead on Arc Codex

Pacolli kërkon reagimin e ndërkombëtarëve pas deklaratave të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit

Pacolli kërkon reagimin e ndërkombëtarëve pas deklaratave të Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, dhe se për këtë ka ftuar ekspertë. Pacolli ka thënë se këto deklarata për mundësinë e ndërhyrjes në resurset ujore dhe infrastrukturën që ndërlidhet me sistemin e Ibër-Lepencit janë thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme. Pacolli ka thënë se sipas Konventës së Helsinkit shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe t'i mbrojnë ekosistemet ujore. Ajo u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara e partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë ndaj deklaratave të Vuçiqit. “Resurset ujore nuk mund të përdoren si instrument kërcënimi, presioni apo destabilizimi ndaj një shteti tjetër. Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike e Republikës së Kosovës. Ky sistem është jetik për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për funksionimin e sektorit energjetik, për bujqësinë dhe për ekuilibrin mjedisor të një pjese të rëndësishme të vendit. Prandaj, çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore. Është çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, dhe duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal nga bashkësia ndërkombëtare. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare”, ka shkruar Pacolli në Facebook. Ajo ka thënë se Kosova do t’i mbrojë resurset e saja ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

How it works

Once you click Generate, Ollama reads this article and crafts 5 comprehension questions. Your answers are graded against the article content — general knowledge won't be enough. Score 70+ to count toward your certificate.

Questions are cached — you'll always get the same 5 for this article.